Xhamia
Në trajtën më të thjeshtë, xhami quhet vendi i pastër ku falet namazi. Xhamitë, në katër anët e botës, kanë struktura të ndryshme arkitekturore, të cilat pasqyrojnë kulturën lokale. Prandaj, në Kinë shohim arkitekturë lokale, në Indi oborre të sofistikuara, në Turqi kupola gjigande, madje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohim objekte qelqi dhe çeliku. Është e pamundur që kur futesh nëpër xhami, ku muslimanët prej shekujsh mblidhen aty për të falur namazin dhe për shërbime të ndyshme fetare, të mos ndikohesh nga struktura e tyre arkitekturore, nga kaligrafia që zakonisht shkruhet me shkronja arabe dhe nga atmosfera qetësuese e këtyre vendeve.
Namazi i xhumasë, për të cilin femrat kanë të drejtën e zgjedhjes për ta falur apo jo, për burrat është një adhurim i obligueshëm të falet në xhami, bashkarisht me xhemaat. Hutbeja, e cila përmbanë informacione fetare, sociale dhe morale, si dhe nga ku përcillen mesazhe qortuese e motivuese, është gjithashtu pjesë e namazit të xhumasë. Ajeti i përmendur më poshtë, të cilin imamët e cekin herë pas here në fundin e hutbeve është një shembull sa i përket mesazheve që jepen në të: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin”. (Ali Imran: 90).
Duke qenë se Allahu nuk ka nevojë për kohë dhe vend, nuk jemi të detyruar që namazin ta kryejmë në ndonjë ndërtesë apo objekt tjetër. Madje Pejgamberi Muhammed (s.a.s.) në lidhje me këtë ka thënë: “Toka është bërë xhami (e gjitha)”. Është traditë që xhamitë të ndërtohen me kupolë dhe minare. Xhamia, përveç vendit ku falet namazi me xhemaat, nga ana që tregon drejtimin e Mekkes ka një mihrab, një minber, kursij etj. Në xhami nuk ekziston altari, i cili gjendet nëpër kisha.
5