Hutbeja e Lamtumirës:

“Lavdia dhe felenderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë, prej Tij kërkojmë falje dhe tek Ai është kthimi ynë. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej së keqes së egos sonë (nefsit), si dhe prej së keqes së sjelljeve dhe veprave tona. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, se Ai është i vetëm, se nuk ka të barabartë me Të, e as të ngjashëm. Dëshmoj gjithashtu se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij.

O robërit e Allahut! Ju këshilloj të jeni të devotshëm ndaj Allahut dhe ti bindeni Atij. E kështu, po e filloj fjalimin me fjalët më të mira.

O njerëz! Dëgjoni fjalët që do t’ju them. Sepse nuk e di, ndoshta nuk do t’ju takoj më në këtë vend pas këtij viti!

O njerëz! Vërtet gjaku juaj, nderi juaj dhe pasuria juaj janë të shenjta (haram dhe të pacënueshme) për ju, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë (dita e Arafatit) në këtë muaj (muaji Dhulhixhxhe) dhe në këtë vend (Mekke).

O ju sahabet e mi! Nesër do të takoni Krijuesin tuaj dhe patjetër do të jepni llogari te Ai për çdo vepër dhe sjellje tuajën sot.

O ju sahabet e mi! Gjërat e marra hua duhet ti ktheni te i zoti. Po ashtu, gjërat e marra emanet me qëllim përdorimin e tyre, në fund duhet ti ktheni te i zoti. Borxhi duhet larë. Edhe garantuesi i borxhit të dikujt, duhat ta lajë atë borxh për të cilin ka dalur garant. Kushdo që ka marrë diçka si amanet, duhet ta kthejë atë te i zoti. Bëhuni të devotshëm ndaj Allahut, adhuroni vetëm atë. Falini pesë kohët e namazit. Agjëroni muajin e Ramazanit, kryejeni ibadetin e haxhit, jepeni me gjithë zemër zekatin e pasurisë suaj. Bindjuni udhëheqësve tuaj, përsa kohë ata i binden librit të Allahut (Kur’anit), e kështu hyni në xhennet.

O ju sahabet e mi! Çdo lloj kamate është anulluar, ajo tashmë është nën këmbët e mia. Por aq sa keni marrë borxh, po aq duhet ta ktheni atë. As mos bëni padrejtësi, as mos lejoni t’ju bëjnë padrejtësi. Marrja me kamatë, tashmë, me urdhër nga Allahu, është e ndaluar. Çdo lloj e këtij zakoni të shëmtuar, i trashëguar nga xhahilijeti (injoranca paraislame), është nën këmbët e mia. Kamata e parë që anulloj, është kamata e birit të xhaxhait tim Abbas Ibn Abdilmuttalib. Edhe çështjet e gjakmarrjes që aplikoheshin në periudhën e xhahilijetit, tashmë janë anulluar të gjitha. Çështja e parë e gjakmarrjes që anulloj është gjaku i Rabias, mbesës së Abdulmuttalibit. Çdo detyrë qeveritare në qytetin e Mekkes, e trashëguar nga periudha e xhahilijetit, është anulluar. Përjashtim nga kjo bën detyra e ruajtjes së Qabes (sidane) dhe ajo e shpërndarjes së ujit për haxhijtë (sikaje).

O njerëz! Shejtani sot e ka humbur forcën e rivendosjes së mbretërisë së tij në këtë tokë. Por nëse ju i bindeni atij në çështje që juve do t’ju duken më të parëndësishme, veç atyre që jua ndalova, ai përsëri do të kënaqet me ju. Largohuni prej këtyre gjërave në mënyrë që të mbroni fenë tuaj.

O njerëz! Ju porosis të respektoni të drejtat e grave dhe ti frikësoheni Allahut në raport me to. Ju i keni ato amanet prej Allahut, nderi i tyre u bë hallall për ju nëpërmjet fjalës së dhënë në emër të Allahut (nikahut/lidhjes së martesës). Siç ju keni të drejta ndaj tyre edhe ato kanë të drejta ndaj jush. E drejta juaj ndaj grave është që të ruajnë nderin tuaj dhe të mos strehojnë në shtëpitë tuaja, pa lejen tuaj, dikë që ju nuk e doni (të mos e ndotin shtratin tuaj). Edhe gratë kanë të drejta ndaj jush. Ju takon që ti siguroni atyre ushqim dhe veshmbathje, në një masë normale që njihet nga shoqëria. Silluni mirë me gratë.

O besimtarë! Dëgjomëni me kujdes dhe mësojeni mirë çka po them. Muslimani është vëlla i muslimanit, pra të gjithë muslimanët janë vëllezër me njëri-tjetrin. Nuk është hallall (nuk lejohet) për askënd marja e diçkaje që i takon vëllait të tij musliman. Përveç rastit kur e jep me miratimin e tij.

O ju sahabet e mi! Mos i bëni padrejtësi vetvetes. Vetja juaj ka të drejta ndaj jush. Secili prej jush është përgjegjës për fajin e vet. Babai nuk mund të jetë përgjegjës për fajin e të birit dhe as i biri për fajin e babait.

Pas meje, mos u ktheni përsëri në devijimin tuaj të mëparshëm, duke vrarë njër-tjetrin. Po ju lë diçka që nëse do të kapeni fort pas saj nuk do të humbni rrugën asnjëherë. Ai është libri i Allahut (Kur’ani) dhe praktika e Pejgamberit (hadithi). Ata që janë prezent, le t’ia përcjellin këto porosi atyre që nuk janë. Ngase ai që i dëgjon më pas këto porosi, mund t’i mësojë dhe praktikojë në jetë, më mirë se ndonjëri që është prezent tani.

O besimtarë! Zoti juaj është Një, por edhe babai juaj është një. Të gjithë vini nga Ademi, ndërsa Ademi u krijua nga dheu. Më i miri ndër ju tek Allahu, është ai i cili është më i devotshëm ndaj Tij. Nuk ka epërsi arabi mbi joarabin, as joarabi mbi arabin. Nuk ka epërsi i bardhi mbi të ziun, as i ziu mbi të bardhin. Epërsia ekziston vetëm në raport me devotshmërinë ndaj Allahut.”

Më pas Muhammedi (s.a.s.) iu drejtua të pranishmëve me këtë pyetje: “O njerëz! Nesër do t’ju pyesin për mua, si thoni? Sahebet e nderuar thanë: “Do të dëshmojmë se përcolle mesazhin e Allahut, e realizove detyrën e pejgamberllëkut dhe se i përcolle këshillat.” Muhammedi (s.a.s.) duke ngritur gishtin e tij të shehadetit drejt qiellit tha: “Ji dëshmitar o Allah! Ji dëshmitar o Allah! Ji dëshmitar o Allah!

2