Merjemja; ardhja e Isait (a.s.) në dynja nëpërmjet Merjemes

Islami, Isain (a.s.) dhe nënën e tij Merjemen e konsideron të shenjtë dhe i nderon ata. Shumë prej muslimanëve zgjedhin ti emërtojnë fëmijët e tyre me emrat Isa dhe Merjem. Në Kur’anin Famëlartë gjendet një sure e quajtur Merjem dhe një tjetër që mban emrin e babait të saj, Imran. Kur’ani Famëlartë pohon se Merjemja, një grua e ndershme dhe e pastër, e ka sjellur në jetë Isain (a.s.) si një mrekulli: “(Kujto) kur Melekët thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës.” (Ali Imran: 42) 
Muslimanët besojnë se Isai (a.s.) ka lindur nga një virgjëreshë e pastër, por lindjen e tij prej një gruaje të virgjër nuk e pranojnë si një argument për shenjtërinë e tij: “Ajo (Merjemja) tha: “Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!” – “Kështu – tha (meleku) - Allahu krijon ç’të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: “Bëhu!” dhe ajo bëhet.” (Ali Imran: 47). “Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” - dhe ai u bë.” (Ali Imran: 59). 
Rrjedhimisht, rasti i Ademit (a.s.), i cili u krijua pa nënë e pa baba, është më mrekulli se sa lindja e Isait (a.s.). Kur Merjemja e solli fëmijën te populli i saj, reagimi i tyre ishte: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.” Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?” Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Inxhilin/Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të fal namaz e të jap zekat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem: 27-33).

2