ISLAMI DHE MJEDISI broshurë


abstrakte

Universi, me të gjitha pjesët e tij të gjalla dhe jo të gjalla, ka një ekuilibër unik dhe një unitet madhështor. Nëse njerëzit nuk u binden urdhrave hyjnorë dhe rregullave morale në marrëdhëniet e tyre me mjedisin e tyre, rendi i botës do të prishet. Në këtë broshurë, me shembuj nga ajetet dhe hadithet, theksohet rëndësia që Islami i kushton mjedisit, bimëve dhe kafshëve. Në broshurë janë raportuar detyrat dhe përgjegjësitë që i ngarkohen qenieve njerëzore në këtë drejtim.

Përgjegjësitë e njëriut ndaj mjedisit, bimëve dhe kafshëve

Universi është i shtrenjtë, ka një ekuilibër të jashtëzakonshëm dhe një unitet të mrekullueshëm, bashkë me të gjitha copëzat që e përbëjnë atë, të gjalla apo jo qofshin ato. Në Kur’anin Famëlartë thuhet: “A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë  dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme?” (Lukman: 20). Njeriu, i shfrytëzon në dobinë e tij të mirat e panurmërta prej gjallesave që i janë vënë në shërbim, siç janë bimët dhe kafshët, por ai nuk është pronari i tyre. Pronari i çdo gjëje në univers, nga atomi deri te rruzulli tokësor, është Allahu” (Saffat: 5). Allahu kërkon prej njeriut që çdo gjë të cilën ai e përdor si amanet, të mos e cënojë të drejtën e saj, të mos abuzojë me të (Ahzab: 72). Prandaj, njeriu ka detyra ndaj natyrës brenda së cilës ai jeton. Sipas Islamit është jashtzakonisht e gabuar që krijesat rreth nesh të shihen vetëm si objekt konsumi. Edhe pse këto krijesa janë krijuar për dobinë tonë, çdonjëra prej tyre ka një vlerë dhe kuptim në vetvete. Islami kërkon që në marrëdhënien tonë me mjedisin të jemi të ndërgjegjshëm në këtë aspekt.
Nëse njerëzit nuk i binden urdhërave hyjnorë dhe rregullave të etikës në marrëdhëniet e tyre me mjedisin, sistemi i globit prishet. Kur’ani Famëlartë e shpreh kështu këtë fakt: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar.” (Rum: 41).
Ajetet e Kur’anit dhe hadithet e Muhammedit (s.a.s.) janë udhëzues për ne sa i përket mënyrës se si duhet të sillemi ndaj krijesave që përbëjnë natyrën, bimëve dhe kafshëve. Muhammedi (s.a.s.) ka ndaluar të ndoten burimet e ujit dhe rrugët, të cilat i përdorin të gjithë njerëzit, si dhe vendet me hije ku njerëzit çlodhen (Ebu Davud, Taharet, 14). Ai kërkon që, sidomos uji, të mos shpërdorohet. Në një rast, teksa pa një sahabi i cili po merrte abdest në lum, i tha: “Ç’është ky shpërdorim?” Sahabiu e pyeti: “Edhe gjatë marrjes së abdestit ndodh shpërdorimi?” Muhammedi (s.a.s.), u përgjigj: “Po, shpërdorim është edhe nëse je në një lum të rrjedhshëm”  (Ibn Maxhe, Taharet, 48). Porositë e Islamit në lidhje me mos ndotjen e mjedisit, mos teprimin dhe mos shpërdorimin në konsum, si dhe të qenurit më të ndërgjegjshëm gjatë shfrytëzimit të burimeve natyrore që kemi, duhet të merren më seriozitsht sot, teksa problemet mjedisore si thatësira, ngrohja globale, shterimi i burimeve ujore dhe ndotja e ajrit tashmë janë shtuar. 
Në lidhje me mbrojtjen e të drejtës së jetës së çdo krijese dhe mbjelljen e pemëve duke ditur vlerën e gjelbërimit, Muhammedi (s.a.s.) ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush ka në dorë një fidan teksa bëhet kijameti, le ta mbjellë atë” (Ibn Hanbel, III, 184); “Nëse një musliman mbjell një pemë dhe prej saj hanë një njeri apo kafshë, personit i shkon sadaka sa herë që kjo ndodh” (Buhari, Edeb, 27). Sipas Islamit, njeriu është përgjegjës për tokën, për të theksuar rëndësinë e hapjes së një are të re, punimin dhe mbjelljen e saj, si dhe kthimin e saj në një gjendje të dobishme për gjallesat, Muhammedi (s.a.s.) ka thënë: “Cilido që posedon një tokë, le ta mbjellë atë; nëse nuk mundet ta mbjellë vetë, le t’ia japë vëllaut të tij në fe. (Buhari, Muzaraat, 18).
Muslimanët e reflektojnë në jetën e tyre faktin se çdo kafshë, nga më e vogla deri tek më e madhja, ka vlerën e saj, duke qenë se është vepër e Allahut dhe se i është lënë si amanet njeriut. Pejgamberi i Mëshirës Muhammedi (s.a.s.), kërkon që të jemi të ndjeshëm ndaj të drejtave të kafshëve që kanë të bëjnë sidomos me strehimin, pastrimin, ushqimin dhe mbrojtjen e tyre nga sëmundjet. Ai nuk lejonte torturimin e kafshëve të barrës, urdhëronte për pastërti në stanet e deleve dhe i mjekonte vetë plagët e kafshëve.
Torturimi i kafshëve nuk ka vend në etikën islame, kjo sjellje nuk ka të bëjë aspak me jetën e Muhammedit (s.a.s.) dhe nuk është njerëzore. Muhammedi (s.a.s.) ka thënë se edhe një harabel, i cili vritet pa shkak, do ta çojë çështjen e tij, në ditën e kijametit, deri tek Allahu Ngadhënjyesi dhe i Larti (Nesai, Dahaya, 42). Ai ka dhënë urdhër të prerë që “Mos i torturoni kafshët” (Muslim, Xhihad, 32). Muhammedi (s.a.s.) ka ndaluar vrasjen e qenëve kur nuk përbëjnë rrezik për njeriun (Ibn Maxhe, Sajd, 2), ndeshjen e kafshëve me njëra tjerën për argëtim dhe përdorimin e tyre si tabelë qitjeje (Muslim, Dhebaih, 58; Ebu Davud, Xhihad, 51).
Muhammedi (s.a.s.) tregon një ngjarje ku një njeri zbret në pus në mes të shkretëtirës dhe merr ujë me këpucën e tij, për ti shuar etjen një qeni, të cilin e pa duke lëpirë tokën për shkak të etjes se madhe që e kishte kapluar. Për shkak të veprimit që bëri, Allahu u kënaq me këtë njeri dhe e fali atë (Buhari, Musakat, 9). Një ngjarje tjetër e treguar nga Pejgamberi i Islamit (s.a.s.) është rasti i një gruaje e cila pasi ishte nervozuar me macen e saj, e la të ngordhte nga uria, duke e mbylluar atë në banesë. Me veprimin e ulët që bëri, gruaja meritoi hidhërimin e Allahut (Muslim, Selam, 152). Teksa në rastin e parë, njeriu i cili i dha ujë qenit u shpërblye për shkak se respektoi të drejtën e qenit për ekzistencë, në rastin e dytë, gruaja e cila izoloi macen e saj, u dënua për shkak se shkeli të drejtën për ekzistencë. Andaj, njeriu nuk duhet të mendojë vetëm për ekzistencën e vet, por është i detyruar të mbështesë të drejtën e ekzistencës së të gjitha krijesave.
Në një rast tjetër, Muhammedi (s.a.s.) pa një deve të cilës, nga uria e madhe i ishte bërë barku njësh me shpinën dhe tha: “Kini frikë Allahun në raport me këto kafshë pa gojë! Përfitoni në një mënyrë normale prej tyre, por ti ushqeni dhe ti jepni të pinë, siç duhet. (Ebu Davud, Xhihad, 44). 
Një herë, gjatë një udhëtimi, disa prej sahabeve panë dy zogj të vegjël dhe e moren njërin prej tyre. Muhammedi (s.a.s.), kur pa se zogu nënë po fluturonte ulët duke kërkuar të voglin e saj, pyeti: “Kush e bëri perishan atë, duke ia marrë të voglin?” Dhe më pas urdhëroi: “Kthejani përsëri të voglin asaj!” (Ebu Davud, Xhihad, 113).  Gjatë një udhëtimi tjetër, teksa po shkonte bashkë me ushtrinë e tij për të çliruar Mekken, në rrugë pa një qen nënë, e cila ishte shtrirë në atë mënyrë që po mbronte të vegjlit e saj, ndërkohë që po i ushqente ata me gji. Ai urdhëroi njërin prej shokëve të tij që të qëndronte pranë qenve dhe i tha ushtarëve që asnjëri prej tyre të mos e prek nënën dhe as të vegjlit e saj. (Uakidi, II, 804).
Jo vetëm që nuk bëhej fjalë për përdorimin e dhunës fizike ndaj kafshëve, por Muhammedi (s.a.s) nuk aprovonte as përdorimin e fjalëve ofenduese kundrejt tyre, andaj, kur pa një grua e cila po mallkonte devenë në të cilën kishte hipur, i kërkoi asaj që të zbriste prej deveje dhe ta linte të lirë atë (Muslim, Birr, 80).
Islami kërkon që njeriu të zhvillojë marrëdhënie të ngritura mbi themet e mëshirës dhe mirësjelljes ndaj të gjitha krijesave në univers dhe e paralajmëron njeriun që të kujdeset për ruajtjen e ekuilibrit të krijuar. Pejgamberi i fundit Muhammedi (s.a.s.) në njërin prej haditheve të tij, ka thënë: “Allahu i mëshiron ata të cilët janë të mëshirshëm. Prandaj, mëshironi çka ka në tokë, që tju mëshërojë Ai që është në qiell” (Tirmidhi, Birr, 16). Është detyra e njeriut që të ruajë ekuilibrin e vendosur në natyrë, e cila është mjedis i përbashkët i jetës së bimëve dhe kafshëve. Sipas Islamit, çdo sjellje e cila e prish këtë ekuilibër dhe cënon unitetin në natyrë, është e ndaluar (A’raf: 56).

1