KUSH ËSHTË MUSLIMAN?
Kuptimi i fjalës Islam është paqe, freski, siguri dhe shpëtim. Islam do të thotë që njeriu ti dorëzohet Allahut me zgjedhjen dhe dëshirën e tij, pa qenë nën presion, si dhe të pranojë urdhërat dhe ndalesat e Tij pa kushte. Ai që e pranon Islamin si fe dhe respekton normat e tij, quhet musliman.
Hyrja e dikujt në fenë Islame bëhet me anë të shqiptimit të fjalës së shehadetit. Fjala e shehadetit është: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij”. Pranimi i Islamit do të thotë të besosh me gjithë zemër principet themelore që ka lajmëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Imani (besimi) është të besosh ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut, të besosh melaiket, librat e zbritur, pejgamberët e dërguar, jetën e ahiretit, si dhe caktimin e Allahut (kaderin). Ndërsa mu’min (besimtar) quhet ai i cili i beson të gjitha këto, e shpreh me gojë besimin e tij dhe e praktikon në jetë atë që beson.
Muslimani, duke qenë se është i lidhur përzemërsisht me Islamin, është në të njëjtën kohë edhe mu’min (besimtar), ndërsa cilësitë e besimtarëve janë përmendur në disa vende në Kur’anin Famëlartë. Nëse cilësitë që përshkruhen për besimtarin në Kur’anin Famëlartë nuk gjenden tek një besimtar, kjo nuk është një mangësi e Islamit, por një gabim i njeriut dhe mangësi e tij. Andaj çdo besimtar është përgjegjës të përvetësojë dhe ti reflektojë në jetë cilësitë e bukura që përmenden në Librin e Nderuar. Këto janë disa nga cilësitë kryesore të besimtarëve që përmenden në Kur’anin Famëlertë:
“Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e fundit, Melekët, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun”. (Bekare: 177).
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (Isra: 23-24).
“(Xhenneti është për besimtarët e devotshëm) të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit. (Xhenneti është) për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre - e kush i fal gjynahet përveç Allahut? - dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë” (Ali Imran: 134-135).
“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë” (Enfal: 2-3).
“Thuaju: “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni.” Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse për ta rregulluar, derisa të mbërrijë pjekurinë! Kryejeni drejt matjen dhe peshimin; Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësisë së tij! Kur të flisni, thoni të vërtetën, qoftë edhe për të afërmit tuaj! Plotësojani besën e dhënë Allahut! Këto ju porosit Ai që të mos harroni. Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (En’am: 151-153).
“Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zekatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme).” (Mu’minun: 1-5).
“Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”; dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë; dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq”; dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes; dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe.” (Furkan: 63-68).
“(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet; edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër.” (Furkan: 72-73).
“Mos e përzieni të vërtetën me të pavërtetën, dhe të vërtetën mos e fshihni me vetëdije. Faleni namazin, jepeni zekatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).” (Bekare: 42-43).
“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Huxhurat: 12).
“Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait (Teuratin dhe Inxhilin në gjendjen e tyre para se të manipulohen) dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi”. (Bekare: 136).
“Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija. Kështu, Ne ia paraqesim të bukura çdo populli veprat e veta. Pastaj, ata do të kthehen te Zoti i tyre, i Cili do t’i lajmërojë për gjithçka që kanë bërë.” (En’am: 108).
“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Teube: 71).
“Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët!” (Nisa: 58).
“O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e shejtanit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur.” (Bekare: 168).
“(Besimtarët durimtar) të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” (Bekare: 156-157).
“Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu). Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët.” (Dharijat: 17-19).
“Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje, njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët falin namazin dhe japin zekatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kijametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara. (Këta shpresojnë) që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’ua shtojë dhuntinë e Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.” (Nur: 36-38).
“Kur dëgjojnë për atë (Kur’anin) që i është zbritur të Dërguarit, i sheh se si u rrjedhin lotët nga sytë, për shkak të së vërtetës që kuptuan. Ata thonë: “O Zoti ynë! Ne besojmë, prandaj na llogarit ndër dëshmitarët e Tu!” (Maide: 83).
“Çdo gjë që ju është dhënë juve, është vetëm kënaqësi në jetën e kësaj bote. Por shpërblimi i Allahut është më i mirë dhe më i përhershëm për ata që besojnë dhe mbështeten te Zoti i tyre; për ata që ruhen prej gjynaheve të mëdha e mbrapshtive dhe që, kur i zemëron dikush, falin; për ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, e falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që, kur i godet ndonjë padrejtësi e madhe, i bëjnë qëndresë dhe marrin hak.” (Shura: 36-39).
“Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe të cilët besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhammed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër.” (Bekare: 2-4).