SHPALLJA E FUNDIT: KUR’ANI
Kur’ani, i cili është libri i shenjtë i muslimanëve, është një libër qiellor i zbritur nëpërmjet vahjit (shpalljes). Çdo fjalë e Kur’anit i ka zbritur Muhammedit (s.a.s.) në gjuhën arabe, nga ana e Allahut, nëpërmjet Xhebrailit (a.s.), në shekullin e shtatë, për 23 vite me rradhë. Zbritja e Kur’anit Fisnik ka filluar kur Muhammedi (s.a.s.) ishte 40 vjeç. Kur’ani përbëhet afërsisht nga 600 faqe, 114 sure dhe 6.236 ajete. Suret kanë gjatësi të ndryshme, më e gjata është 286 ajete, ndërsa më e shkurtra 3.
Duke qenë se Pejgamberi (s.a.s.) nuk dinte shkrim e lexim, sa herë që zbriste një shpallje e re, mësohej përmendësh me pasion nga ana e sahabeve, ashtu siç kishte zbritur dhe ruhej me shkrim. Kur Pejgamberi (s.a.s.) ndërroi jetë, Kur’ani ishte plotësuar së zbrituri dhe ishte mësuar përmendësh i tëri nga shumë persona. Në kohën e halifit të parë Ebu Bekrit (r.a.), brenda dy viteve nga vdekja e Pejgamberit (s.a.s.), Kur’ani merr formën e Mus’hafit (mblidhet në formë libri). Në kohën e halifit të tretë Osmanit (r.a.), mbështetur në këtë kopje Kur’ani shumohet dhe u shpërndahet muslimanëve nëpër tokat islame. Disa nga keto dorëshkrime janë të ruajtura ende edhe sot dhe janë të ekspozuara për vizitorët në muze të ndryshëm. Këto kopje të ruajtura, vërtetojnë origjinalitetin e Kur’anit dhe bëjnë të mundur ekzistimin e padiskutueshëm të vetëm një versioni të Kur’anit (në gjuhën arabe), i cili vazhdon të jetë i ruajtur.
Fjala “Kur’an” ka kuptimin “lexim”. Ajeti i parë i zbritur Pejgamberit (s.a.s.) urdhëron: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).” Tekstet e Shejta të mëhershme, zakonisht janë shkruar dhe transmetuar tek të tjerët, nga autoritete dhe shkrimtarë, pasi ka kaluar shumë kohë nga vdekja e pejgamberit përkatës, të cilit i pati ardhur ai shkrim. Nga ana tjetër, fakti që urdhëri “lexo” i erdhi një pejgamberi si Muhammedi (s.a.s.), i cili nuk dinte shkrim e lexim, ashtu sikurse edhe shumica e shoqërisë së asaj kohe, tregon se po përgatitej fillimi i një epoke të re në fushat e komunikimit, edukimit dhe zhvillimit. Muslimanët besojnë se librat të cilët janë permendur në Kur’an, si Teurati i zbritur Musait (a.s.), Zeburi i zbritur Davudit (a.s.) dhe Inxhili (Ungjilli) i zbritur Isait (a.s.), janë libra hyjnorë. Por këta libra janë manipuluar dhe kanë pësuar ndryshime më vonë. Kur’ani na flet edhe për Ibrahimin dhe disa profetë të tjerë, të cilëve u janë shpallur fletushka.
Meqenëse në kohën e Musait (a.s.) magjia ishte në kulmin e saj, mrekullia më e madhe e tij ishte mposhtja e magjistarëve më të mirë të Egjiptit. Ndërsa në kohën e Isait (a.s.) fama ishte për mjekët e talentuar, andaj mrekullia e tij ishte shërimi i sëmundjeve të pashërueshme. Arabët bashkëkohorë të Muhammedit (s.a.s.) ishin të njohur për oratori dhe poezi të mrekullueshme. Për këtë arsye, mrekullia më e madhe e tij ishte Kur’ani, i cili edhe pse i sfidoi vazhdimisht, me anë të ajeteve të tij, poetët dhe oratorët arabë nuk arritën kurrë të prodhonin diçka të barazvlefshme me të:
“Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri-tjetrin.” (Isra: 88)
Kur’ani, si shpallja e fundit hyjnore, konsiderohet i shenjtë nga muslimanët. Ajetet e Kur’anit vazhdojnë të lexohen, mësohen përmendësh dhe zbatohen, me përkushtim dhe dashuri nga ana e muslimanëve të çdo populli, që nga dita që ka zbritur e deri më sot. Muslimanët, gjatë namazit lexojnë ajete nga Kur’ani. Stili i lartë gjuhësor i Kur’anit dhe rima në të, si të ishte poezi, e frymëzon besimtarin, e flladit dhe e përlot atë.
Përgjatë katërmbëdhjetë shekujve të kaluar, muslimanët nga të gjitha anët e botës, ajetet e Kur’anit i kanë shkruar me një stil bukurshkrimi që më së shumti është përdorur dhe zhvilluar nga Osmanët. Shembujt më të bukur të këtij shkrimi janë realizuar në Stamboll. Prandaj në një thënie të njohur thuhet: “Kur’ani zbriti në Mekke, u lexua në Egjipt dhe u shkruajt në Stamboll”.
Krahas stilit ndikues, Kur’ani përmban edhe një sasi ajetesh ku përshkruhen me saktësi dukuritë natyrore në fusha të ndryshme, si astronomia, gjeologjia, embriologjia etj. Shkencëtarët, këto përshkrime të Kur’anit, i kanë cilësuar si mjaft të besueshme për një libër të shekullit të VII, por edhe si një fakt të pashpjegueshëm. Prandaj, është e natyrshme që konflikti besim-logjikë dhe fe-shkencë që lindi në Europën e mesjetës, të mos eskzistojë në Islam. Kur’ani, nëpërmjet ajeteve të ndryshme, i nxit vazhdimisht njerëzit që të mendojnë dhe të përdorin llogjikën. Megjithëse Kur’ani nuk është një libër shkence, ajetet e tij, të cilat vënë theksin në shumë mrekulli të natyrës ose që sjellin shembuj nga historia, i oriontojnë njerëzit drejt meditimit rreth madhështisë së Krijuesit.
Muslimanët besojnë se Kur’ani është një libër i gjallë, që i drejtohet të gjitha kohërave dhe kjo e bën atë të jetë aktual përkundër kohës që ka kaluar. Duke qenë se Kur’ani është një mesazh nga Krijuesi, ai është një udhërrëfyes perfekt për këdo që interesohet të njohë qëllimin e jetës dhe të ekzistencës. Në suren Fatiha, e cila cilësohet si esenca e Kur’anit, thuhet:
“Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (Fatiha: 2-7).
Mesazhi kryesor i Kur’anit është ti thërrasë njerëzit të kthehen te Krijuesi, i cili është burimi i të gjithë ekzistencës, ta adhurojnë Atë me zemër të pastër, larg idhujtarisë dhe çdo besimi të kotë. Kur’ani e refuzon konceptin e të favorizuarit të njeriut për shkak të origjinës etnike, racës apo ngjyrës, si dhe të shpëtuarit për këto arsye. Shpëtimi i vërtetë arrihet vetëm nëpërmjet lënies së gjynaheve dhe nijetit nga zemra për të mos përsëritur të njëjtat gabime. Në Islam nuk ka murgjëri, imami është vetëm njeri me dije fetare që i prinë njerëzve në namazet me xhemaat; njeriu gjynahet duhet t’ia rrëfejë vetëm Krijuesit dhe të kërkojë falje vetëm prej Tij.
Kur’ani është udhëzues për të gjithë njerëzimin. Ai nuk ka zbritur për një person, vend apo kohë të caktuar. Ai sjell shembuj nga popujt e kaluar, vendos rregullat e besimit dhe të normave morale. Nuk kërkon që njerëzit të besojnë qorrazi, por i drejtohet atyre që janë të vetëdijshëm për Allahun dhe atyre që “përdorin llogjikën” (Rum: 24). I urdhëron njerëzit të meditojnë rreth vetes dhe krijesave; rreth tokës dhe maleve; reve dhe qiellit; diellit, hënës dhe planeteve nëpër orbita; ndërrimit të ditës me natën. Na nxit neve të meditojmë rreth jetës sonë. Na nxit të meditojmë rreth shumë shenjave që gjenden në univers, siç janë fara që vendosim në dhe, uji që pimë dhe ushqimet që konsumojmë. Dija dhe llogjika, përgjatë gjithë Kur’anit theksohen si një rrugë që të çon te besimi dhe devotshmëria. Kur’ani thotë kështu:
“Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët, (që e dinë se) Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe Falës.” (Fatir: 28)
Kur’ani urdhëron që njerëzit të kene sjellje të mira dhe të hijshme, ndërsa i ndalon sjelljet e pahijshme dhe të këqija, kështu ai i tregon njerëzve rrugën e drejtë. Veç kësaj ai i përgjigjet edhe pyetjeve themelore të ekzistencës, siç janë jeta e ahiretit dhe kuptimi i jetës në këtë botë. Kur’ani paraqet një panoramë të përgjithshme të vetë ekzistencës së njeriut, mjedisit, shoqërive dhe të gjithë krijimit.
1