MUHAMMEDI (S.A.S)
Kush është Muhammedi (s.a.s)?
Në vitin 570, në qytetin e Mekkes i ndodhur në Gadishullin Arabik, një familje me prejardhje nga Pejgamberi Ibrahim (a.s.) sjell në jetë një fëmijë. Emri i fëmijës ishte Muhammed, që do të thotë i lavdëruar. Ai i kuptonte mirë jetimët dhe njerëzit që jetonin në kushte të vështira, pasi edhe vetë kishte mbetur jetim që në moshë të vogël. Kur u rrit, Muhammedi u bë një i ri me karakter të lartë. Allahu i Madhëruar e ruajti atë prej stilit të jetesës së arabëve të kohës së xhahilijetit (injorancës paraislame), ku ishin të përhapura veset e këqija si: pijet alkoolike, imoraliteti (zinaja) dhe vjedhja. Njerëzit i linin emanet atij sendet e tyre me vlerë, shoqëria e përkufizonte atë si një njeri besnik (el-Emin). Muhammedi (s.a.s.) interesohej për problemet e shoqërisë ku jetonte, ai përpiqej të ndërtonte një shoqëri të virtytshme edhe para se të zgjidhej pejgamber. Një shembull për këtë është përpekja e tij për të parandaluar zullumin ndaj tregtarëve të huaj.
Pejgamberllëku
Kur arrin moshën 40 vjeçare, Muhammedi (s.a.s.) merr shpalljen e parë nga Allahu nëpërmjet Xhebrailit (a.s.), në muajin Ramazan, muaji i nëntë i vitit, sipas kalendarit hixhri. Mesazhi i parë që iu shpall atij ishte: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).” Në këtë mënyrë, Islami që do të predikonte Muhammedi (s.a.s.), që nga fillimi i tij i jep rëndësi nxënies së dijes dhe shpërndarjes së saj.
Muhammedit (s.a.s.) vijoi ti vijë shpallja përgjatë një periudhe prej njëzet e tre vitesh me rradhë. Ky mesazh, i cili nga ana e Allahut të Madhëruar u quajt “Kur’an”, i drejtohet mbarë njerëzimit me këtë princip bazë: Të besohet Allahu si Krijues i vetëm, Melekët e Tij, Pejgamberët e Tij, Librat e Tij, Jeta e Ahiretit, si dhe Kaderi dhe Kadaja (caktimi i Allahut të madhëruar se do të ndodhë patjetër).
Përgjatë trembëdhjetë viteve të para të pejgamberllëkut të tij, Muhammedi (s.a.s.) i fton njerëzit që të distancohen nga adhurimi i idhujve dhe të adhurojnë vetëm Allahun. Njeriu i parë që i besoi ishte bashkëshortja Hatixhe, e cila quhet ndryshe edhe “nëna e muslimanëve”. Ndërsa Muhammedi (s.a.s.) zhvillonte thirrjen e tij, mekasit e shihnin atë si një kërcënim për stilin e tyre pagan të jetesës. Sa herë që bënte thirrje për të drejtat e të dobtëve, tërhiqte mbi vete urrejtjen dhe mllefin e të fortëve, por megjithatë, qëndroi gjithmonë përkrah të të varfëve dhe atyre që iu bëhej padrejtësi.
Ata provojnë çdo rrugë, si ryshfetin, torturën, bojkotin etj, për ta bërë atë të tërhiqet nga ky besim. Pas të gjitha këtyre vuajtjeve, muslimanët nuk e braktisën Islamin. Në vitin 622, Allahu e urdhëron Muhammedin (s.a.s.) të bëjë hixhret (të emigrojë) për në Medine, një qytet në veri të Mekkes. Hixhreti është aq ngjarje e rëndësishme, sa që u bë pika fillestare e kalendarit të muslimanëve. Muslimanët, u bënë një shoqëri që jetonte në harmoni në Medine. Shumë njerëz, me prejardhje të ndryshme fetare, fisnore dhe rracore, pranojnë Islamin, në atë qytet. Njerëz të shtresave të ndryshme u ndikuan nga personaliteti i lartë dhe thjeshtësia e Pejgamberit (s.a.s.).
Në vitin e tetë të hixhretit, Muhammedi (s.a.s), kthehet në Mekke me një ushtri prej 10.000 vetash, me urdhërin që të mos derdhet gjak dhe të mos ketë hakmarrje. Ai hynë në qytetin e Mekkes, hipur mbi deve, me një thjeshtësi të plotë, me kokën ulur, aq sa përpak po prekte qafën e deves dhe iu drejtua njerëzve me këto fjalë: “Ju them juve sot, atë që i tha Jusufi vëllezërve të tij: ‘Sot nuk ka qortim kundër jush, Allahu ju faltë juve’, jeni të lirë”.
Pas një viti, në kohën e haxhit, mban hutben e lamtumirës dhe i drejtohet sahabeve, ummetit dhe mbarë njerëzimit, për herë të fundit, me këto fjalë:
“Çdo zakon i trashëguar nga xhahilijeti (periudha paraislame) është shfuqizuar. Ndërpritni çdo lidhje që keni me kamatën. Mos beni padrejtësi dhe mos lejoni t’ju bëjnë padrejtësi. Nuk ka epërsi arabi mbi joarabin, as joarabi mbi arabin; as i bardhi mbi të ziun, as i ziu mbi të bardhin. Epërsia tek Allahu i madhëruar matet vetëm sipas devotshmërisë (takvasë). Që nga ky moment idhujtaria ka marrë fund…”
Në keto momente i zbritet ky ajet: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe…” (Maide: 3).
Muhammedi (s.a.s.) ndërron jetë në vitin 632 dhe varroset në qytetin e Medines, në Arabi.
1