Isai (a.s.) është një Pejgamber
Islami lajmëron se Isai (a.s.) është njëri prej pejgamberëve të Allahut i cili u dërgua te bijtë e Izraelit me një tekst të ri të shenjtë, për ti udhëzuar ata në rrugën e drejtë. Faktikisht, sipas Islamit pranimi i të gjithë pejgamberëve të Allahut dhe të dërguarve të Tij, është kusht i besimit. Në Kur’anin Famëlartë, librin e shenjtë të muslimanëve, thuhet kështu: “Thuaj (o Muhammed): “Ne besojmë Allahun, atë që na është shpallur neve, atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Esbatëve (bijve të tij) dhe në atë që i është dhënë Musait, Isait dhe profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim midis tyre dhe Ne vetëm Atij (Allahut) i përulemi.” (Ali Imran: 84)
Isai (a.s.), sipas Islamit konsiderohet si lajmëtari i ardhjes së Muhammedit (s.a.s.) dhe nga ana e muslimanëve besohet si përgëzues i ardhjes së pejgamberit të fundit. Në fakt, sipas besimit Islam, feja e cila është predikuar nga ana e të gjithë pejgamberëve, është Islami, kuptimi i të cilit është dorëzimi i sinqertë vetëm ndaj Allahut.
Një ajet tjetër lajmëron se Isai (a.s.) ka ecur në gjurmët e pejgamberëve të mëparshëm, sikurse Musai (a.s.). “Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Inxhilin (Ungjillin), në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut.” (Maide: 46).
Emri i Isait (a.s.) në Kur’anin Famëlartë përmendet njëzet e pesë herë. Ai përmendet gjithashtu në pesëmbëdhjetë sure të ndryshme me cilësi të larta, si “i biri i Merjemes; mesihu; robi i Allahut; i dërguari i Allahut”, si dhe “fjala e Allahut; shpirt nga Allahu; shenjë (argument) nga Allahu”.
1