Cilat janë kushtet e Islamit?

1. Shehadeti (Dëshmia)
Islami ka pesë kushte; i pari është shprehja e besimit me fjalë, pra dëshmia e besimit (shehadeti). Shehadeti është një shprehje që e shqiptojnë të gjithë besimtarët: «Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut. Muhammedi (s.a.s.) është rob dhe i dërguar i Tij». Kjo shprehje duhet të shqiptohet me sinqeritet, me besim dhe pa asnjë lloj presioni. Shqiptimi i shehadetit nënkupton që qëllimi i jetës të jetë bindja ndaj Allahut, sipas udhëzimit të Muhammedit (s.a.s.), i cili është shembull për mbarë njerëzimin deri në ditën e kijametit. Personi që shqipton shehadetin është musliman edhe nëse nuk i kryen të gjitha detyrat e fesë.
2. Namazi 
Namazi është një adhurim i obligueshëm ndaj Allahut, i cili kryhet pesë herë në ditë. Namazi forcon dhe e mban të gjallë besimin e njeriut tek Allahu, si dhe përkryen moralin e tij në një nivel të lartë. Ai pastron zemrën, pengon të vepruarit e së keqes dhe ndalon nga kryerja e veprave të shëmtuara. Besimtari nxitet që namazin ta kryejë me xhemaat në xhami. Femrat kanë të drejtën e zgjedhjes së vendit të tyre të faljes së namazit aty ku ato e shohin më të përshtatshme.
3. Agjërimi
Agjërimi është lënia e ushqimit, pijes, marrëdhënieve intime, si dhe çdo nijeti apo dëshire të ligë, gjatë muajit të Ramazanit, nga koha e syfyrit deri në perëndimin e diellit. Agjërimi kultivon dashurinë, sinqeritetin dhe ndjeshmërinë. Agjërimi zhvillon një ndërgjegje shoqërore të shëndoshë, si dhe durimin, sakrificën dhe vullnetin. Ai mundëson që i pasuri të kuptojë gjendjen e të varfërit.
4. Zekati  
Adhurimi në fenë islame nuk është i kufizuar vetëm me aspektin shpirtëror të tij. Ata që i kanë mundësitë janë të ngarkuar edhe me obligime materiale. Zekati, si një detyrë fetare, është pastrim i pasurisë; andaj personi duhet që 2,5% të pasurisë së poseduar për një vit, përfshirë edhe fitimin nga tregëtia, ta ndajë për personat në nevojë, të cilët janë përcaktuar sipas kritereve përkatëse. Sasia duhet ti kalojë drejt për së drejti personave më të dobët ekonomikisht në shoqëri. Muslimanët e kanë për detyrë që të ndihmojnë fukarenjtë, jetimët, nevojtarët, duke i dhënë atyre një shumë të caktuar monetare, që tia bëjnë jetën më të lehtë dhe për të zbutur pabarazinë. Sasia minimale që muslimani ka obligim të ndajë është zekati, por feja islame ka nxitur gjithmonë që të jemi sa më bujarë ndaj personave me mundësi të kufizuara ekonomike.
5. Haxhi
Besimtari i cili ka mundësi ekonomikisht dhe fizikisht, është i ngarkuar të kryejë haxhin një herë në jetë. Kjo mrekulli islame, e cila është edhe sibol i vëllazërimit të vërtetë, për më shumë se 1400 vite me rradhë, përsëritet çdo vit, duke bërë bashkë të gjithë besimtarët e rracave dhe popujve të ndryshëm, në shtëpinë e Allahut në Qabe, e ndodhur në qytetin e Mekkes. Tre milion muslimanë, të veshur me të bardha, rrotullohen çdo vit rreth Qabes së ndërtuar që nga koha e Ibrahimit (a.s.). Qabeja, përveçse është vendi i kryerjes së adhurimit të haxhit, është një kohësisht drejtimi, pra, Kibla e muslimanëve, drejt së cilës ata drejtohen gjatë namazeve të tyre, pesë herë në ditë. Haxhi, si një obligim islam, përbën një ndjenjë shpirtërore për besimtarët e vërtetë: andaj, në themel të adhurimeve qëndron besimi dhe sinqeriteti.

3